Messi: Te PSG-ja ishte e vështirë, Miami ishte zgjedhja e duhur
Që Lionel Messi nuk ndihej vetvetja në Paris, ky tashmë nuk është më një sekret. Ish-idhulli i Barcelonës, nuk arriti të përshtatej te PSG, teksa një tregues ishte dhe fakti që nuk mësoi asnjë fjalë frëngjisht.
Kjo ishte një nga arsyet pse ai nuk do të mbahet mend me shumë mall nga tifozët e PSG-së, të cilët e “përshëndetën” me një breshëri kritikash në ndeshjet e tij të fundit.
Duke folur në konferencën për shtyp, Pulga iu kthye dy viteve të tij në Paris: “Siç thashë në atë kohë, largimi për në Paris nuk ishte diçka që doja. Nuk doja të largohesha nga Barcelona. Gjithçka ndodhi brenda natës”.
Më pas argjentinasi shtoi: “Më duhej të mësohesha me një vend krejtësisht të ndryshëm nga ai që kam jetuar gjatë gjithë jetës sime. Si në aspektin e qyteteve ashtu edhe sportive. Ishte e vështirë.”
Situata aktuale është ndryshe, dhe këtë gjë e ka konfirmuar edhe Messi: “Ardhja në Miami ishte një zgjedhje e duhur. Vjen pas vlerësimit të shumë gjërave dhe familja ishte një nga faktorët. Jam i lumtur dhe dua ta shijoj këtë aventurë”.
Protagonist në Botërorin e kaluar, Messi është padyshim ndër kandidatët kryesorë për të fituar Topin e Artë dhe në rastin e tij do të ishte i teti. Lidhur me këtë argjentinasi: “Nuk e mendoj. Nëse vjen mirë, ndryshe nuk ka asgjë”.