Messi: Unë dhe bashkëlojtarët pranojmë zbritje të pagës prej 70%
Lionel Messi ka konfirmuar se ai dhe bashkëlojtarët e tij kanë pranuar t’iu zbritët paga për 70 për qind për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia koronavirus, por thotë se shokët e skuadrës së tij janë të habitur sesi njerëz brenda klubit katalonas dëshirojnë t’iu bëjnë presion atyre për të pranuar ulje page.
Kapiteni i klubit katalonas tha se lojtarët do të japin kontribut shtesë, në mënyrë që të ardhurat e klubit nga burime josportive të mos reduktohen gjatë Gjendjes Emergjente në Spanjë, e cila është vendosur më 12 mars.
Sulmuesi argjentinas i bëri këto komente në një postim në rrjetet sociale, duke folur në emër të ekipit të parë.
Lojtarët e tjerë të Barçës e shpërndanë postimin e Messit në llogaritë e vet më vonë.
Edhe Barcelona konfirmoi se lojtarët janë paguar për të marrë pagë me ulje përkohësisht, për shkak se klubi përballet tani me vështirësi financiare si pasojë e koronavirusit.
“Shumë gjëra janë shkruar dhe janë thënë për ekipin e parë të Barcelonës, në lidhje me pagat e lojtarëve gjatë gjendjes emergjente”, shkroi Messi në Instagram.
“Para së gjithash, ne duam të sqarojmë se vullneti ynë gjithmonë ka qenë për të marrë pagë me zbritje, sepse ne e kuptojmë shumë mirë se ndodhemi në një gjendje të jashtëzakonshme dhe ne gjithmonë jemi të parët për ta ndihmuar klubin kur të na kërkohet”, shtoi Messi.
“Nganjëherë madje e kemi bërë edhe me kurrizin tonë, kur kemi menduar se ka qenë e nevojshme apo e rëndësishme. Prandaj, nuk habitemi që klubi dëshiron të na fusë nën mikroskop dhe të na bëjë presion për të bërë diçka që ne patjetër do ta bënim. Nëse marrëveshja është vonuar ditët e fundit, ka qenë sepse ne po e kërkonim një zgjidhje për ta ndihmuar klubin dhe punonjësit tanë në këtë kohë të vështirë”, theksoi ai.
“Nga ana jonë, ne njoftojmë se do ta ulim pagën për 70% gjatë kohës së gjendjes emergjente. Po ashtu do të japim kontributin tonë në mënyrë që punonjësit t’i marrin pagat e tyre 100% gjatë kësaj kohe”, përfundoi ai.