Messi: Volla për shkak të ushqimit
Ylli i Barcelonës, Leo Messi, ka zbuluar se një ndryshim i vogël në dietën e tij e ka ndihmuar t’i ndalë të vjellat në fushën e lojës. Numri 10 i Argjentinës e ka bërë një gjë të tillë në 2014-n, në një miqësore kundër Rumanisë, duke zbuluar më pas se nuk ishte hera e parë që i ndodhte.
Ish-trajneri i “Albiceleste”, Alejandro Sabella, ka bërë me dije se lojtari ndihej nervoz pasi ai është ndier keq në një ndeshje eliminatore kundër Bolivisë në 2013-n, kur lartësia e madhe mbi nivelin e detit e La Paz ka vënë në vështirësi Messin. Tani Leo ka vendosur ta zbulojë arsyen e të vjellave, që duket se kanë ardhur nga kequshqyerja në vitet e mëparshme. “Nuk e di se çfarë kam ngrënë, por jam ushqyer keq për shumë vite”, ka thënë Messi për emisionin televiziv “La Corinsa”. “Në moshën 22, 23 konsumoja çokollatë, alfajores (biskota amerikanojugore), pije me gaz. Tani ushqehem më mirë: peshk, mish, perime, sallata. Gjithçka është e organizuar dhe e menduar mirë. Ndonjëherë, edhe një gotë verë, por ky nuk është një problem”, ka thënë Messi. “E ndjeva ndryshimin te të vjellat. Më thanë se mund të kishte shumë arsye. unë vendosa të ndryshoja dhe nuk ndodhi më”.
Messi nuk është futbollisti i vetëm që ka vjellë në fushë. David Beckham, teksa luante me Anglinë, Jan Vertonghen i Belgjikës dhe Zinedine Zidane janë disa nga lojtarët më të njohur që janë ndier keq në fushën e lojës.