
Mësuesi dëshmor
Në përvjetorin e 26-të, të rënies së ish-ushtarit të UÇK-së, Jahir Lladrovci
Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci
Jahir Lladrovci (apo axha që e kanë thirrë gjithë lagjja)para se t‘i bashkohej karavanit të gjatë të dëshorve të Kosovës ka qenë mësues. Me 19 prill të vitit 1999, ai kalojë në përjetsi në fshatin Mjekaj të Kastriotit, jo shumë larg nga vendlindja e tij Shkabaj e Drenasit. Atëherë ai ishte vetëm 42 vjeçar, kurse fundi i luftës që po afrohej nuk kishte aq ditë sa ai kishte vjet jete. Siç dihet, kapitullimi i Serbisë do të ndodhte 40 ditë më vonë, por ai fundin e luftës e pa 40 ditë më herët, më 19 prill të vitit 1999. Qysh në antikë thuhej se ata që bien dëshmor janë të vetmit që e shohin fundin e saj. Çka do të thotë kjo? Do të thotë se për të vrarin lufta përfundon në momentin e vrasjes, kurse për të tjerët që mbeten gjallë ajo vazhdon. Lufta e Kosovës përfundoi prakikisht me nënshkrimin e oficerëve serbë të kapitullimit të tyre me 9 qershor 1999. Ushtarakët u dorëzuan, por jo dhe politikanët serbë që i inkurajuan ata për këtë akt dorëzimi. Edhe 26 vjet pas kapitullimit, Beogradi politik nuk e njeh sovranitetin tonë, me njëfarë mënyrë për të kjo luftë ende vazhdon, natyrisht me mjete të tjera. Pas kapitullimit serb me 9 qershor 1999, gjermanët hynë në Prizren me 11 qershor, kurse një ditë më vonë Kosova ishte përplotë me ushtarë të të vendeve të tjera të NATO-së. Serbët civilë bashkë me ushtrinë e tyre po e braktisnin Kosovën përgjithmonë. Disa prej tyre erdhën më vonė për t‘i marrë eshtrat e vdekurëve të tyre, sepse nuk donin t‘i lenin ata në tokën e huaj. Gjenerali i ushtrisë së vdekur ende s‘është shfaqur, por një ditë me siguri do të troket në portat tona. Në marrëveshjen e Kumanovës askund nuk kërkohet ikja e civilëve serbë në Serbi, por ata, me sa duket, praninë e tyre në Kosovë, e kishin lidhur me ushtrinë e tyre. Nė romanin e Gani Mehmetajt „Zogjtė e qyqes“ jepen pamjet e ardhjes së kolonistëve në Kosovë në vitet 1920. Atëherë televizioni nuk ishte medium shumë i zhviluar, kështu që vetëm në letërsi na jepet ndonjë pamje e mbëtritjes së tyre plotë shpresë në tokėn e re. Në vitin 1999 ikja e serbëve jepej nga shumë televizione perëndimore. Një plakë serbe në Ferizaj, fjalët e të cilës i transmetuan kanalet televizive gjermane, pati thënë se vetëm Zoti e di ç‘kemi bërë ne kundër shqiptarëve, kështu që, këtë nuk e thoshte, por me siguri e mendonte se është më mirë të mos e presim kthimin e tyre. Kjo plakë duhet të ketë vdekur qyshkur. Ajo ndoshta s‘arriti të shishte Serbinë ndryshe të këtyre muajve të fundit, por ajo qysh në atë kohë ishte një ekzeplar ndryshe i Serbisë!
Shpesh thuhet se serbët nuk e njohin luftën tonë, ndaj dhe mbajnë një qëndrim mohues ndaj pavarësisë së shqiptarëve. Ka të ngjarë që është kështu. Masa serbe me siguri se nuk i njeh detajet. Por unë pyes: po ne a njohim vetë luftën tonë? Dyshoj se jo, së paku jo sa duhet. Shkrimtari i madh gjerman Johann Wolfgang von Goethe thoshte se e vërteta duhet të përsëritet 1001 njëherë se edhe gënjeshtra përsëritet 1000 herë. Nazistët e dinin mirë këtë gjë. Joseph Goebbels-i thoshte se rrena e përsëritur shumë herë një ditë trajtohet si e vërtetë. Kjo gjë edhe sot praktikohet gjithandej.
Mësuesia, thoshte gjuhëtari i madh shqiptar Eqrem Çabej, nuk është profesion, por mision. Ai fliste edhe nga përvoja e tij. Vetë Jahir Lladrovci kishte qenë nxënës i frymës së tij. Nuk e di a kishte qenë në mesin e dëgjuesve të ligjëratave të tij në Universitetin e Prishtinës, në kohën kur Eqrem Çabej lehihej të ligjjëronte në Prishtinë, por e di se ai ishte pikërisht një mësues çabejan. Mësuesi Jahir e ka ushtruar profesionin e tij gjithmonë si mision. Këtë gjë mund ta vërtetojnë të gjithë ata që dikur e kanë pasur mësues. Ai e donte profesionin e tij, sepse e shihte atë edhe si mision. Mësuesi Jahir i mësonte nxënësit e tij që të luftonin për atdheun e tyre dhe të mos kursenin asgjë për të ardhmen e tij. Nëse shkollat shqipe funksionuan pas mbylljes praktike të tyre, atëherë kjo ndodhte se kishte shumë mësuesë që profesionin e tyre e ushtronin si mision, mësuesë që ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë kombëtare të shkollës në gjuhën shqipe. Për mësuesin Jahir kurrë nuk shtrohej çështja e pagesës mujore si kusht për ushtrimim e profesionit. Shpesh më kujtohet një piktor amerikan që ka ilustruar atllaset më të mira të mjekësisë. Edward Hopper, siç quhej ai, thoshte unë do të vizatoja edhe sikur të mos më paguanin për punën që bëjë. Edhe mësuesi Jahir vepronte sipas kësaj logjike. Ai sikur thoshte se punën e tij të mësuesit do ta kishte bërë edhe pa pare. Në fakt sistemi ynë paralel i ka paguar shumë pak mësuesit. Por nuk di që ka pasur një mësues të vetëm që e ka lënë punën e tij për këtë shkak. Shqiptarët kishin një histori të veçantë për sa i përket shkollës së tyre. Ata ishin të fundit në Ballkan që e fituan të drejtën për mësim në gjithë amtare. Shkolla që funksiononte në trojet tona ka qenë në rradhë të parë një instrument i pushtuesve për shpëlarjen e trurit. Ne dimë në ndërkohë se psikologjia bashkëkohore përmes shpëlarjes së trunit mund ta kthejë njeriun në vrasës. Çka do të thotë kjo në kontekstin shkollor? Shqiptarët e vegjël mësoheshin ta shihnin te mësuesi i tyre në gjuhën shqipe kriminelin, njeriun që punonte në forma të ndryshme kundër shtetit, që dijen e përdorte për të helmuar shpirtin e njomë të fëmijës shqiptar. Kjo ishte propaganda politike e shtetit, të cilën jo të gjithë mund ta refuzonin. Një pjesë e njerëzve nuk e dinte se kishte edhe shqiptarë që e kuptonin hilen dhe ishin rezilientë ndaj kësaj propagande. Vjersha e poetit tonë Esad Mekuli “Turk, elhamdulilah“ e bën këtë proces të gjatë në kohë të dukshëm me mjete poetike:
“Me shpatë, me zjarm sundoi-
Me shekuj liri s’kemi pa.
Tirani mbi ne gërmoi:
Je turk, elhamdulila!
Fenë me kombësi e njisoi,
Muslim e turk- s’ka da.
Deshti edhe emnin t’na harroj:
– Je turk, elhamdulila!
Dhe gjuhën tonë e ndaloi,
Kush turqisht s’flet fe s’ka.
Ashtu, thanë, Zoti urdhënoi:
– Je turk, elhamdulila!
Je turk, je turk!- kanë shti
Shqiptarin me shekuj, pa da,
e nji ditë ndër ne u ndi:
– Jam turk, elhamdulila!“
Shkolla jonë ka qenë vazhdimisht e rrezikuar. Jahir Lladrovci e njihte dhe luftonte këtë fakt. Në shkollë, me fjalën bindëse. Në rradhët e UÇK-së ishin shumë nxënës të tij, kështu që ai nuk mund të qëndronte jashtë këtyre rradhëve.
Ai u vra gjashtë muaj pas komandantit të tij të brigadës, në pranverën e vitit 1999. Kurrë nuk u rikthye në shkollėn ku punoi për të edukuar brezin e ri, tanimë edhe me përvojën e tij të luftës së armatosur. Ishte vetëm 42 vjeçar kur ra dëshmor! Me të vërtetë shumë i ri! Plumbat e armikut ia prenë rrugën e shtëpisë e të shkollës.
Sot është 26 vjetori i rënies së tij, ndaj dhe unë desha ta shënojë këtë ngjarje tragjike me disa rreshta përkujtimor, ta rikthejë në jetën e kujtimeve dhe t’i them se nuk të kemi harruar. Jahir Lladrovci nuk është mësuesi i vetëm që u vra, por për mua është mësuesi i vetëm që e kam njohur personalisht dhe që kurrë nuk mund ta shqisë nga mendja. Liria jonë me të vërtetë i ka rrënjët në gjak. Të mos e thuash këtë të vërtetë të madhe sot është tradhëti e mirëfilltë dhe, sidomos, të mos kujtosh ata që u flijuan për vendin. Liria jonë nuk piku nga qielli, por erdhi pas shumë flijimesh, pas një lufte të gjatë në kushte të vështira.