Mësuesi i kompozitorëve të kombit, i larë në gjak: Tërhiqej zvarrë, shtyhej e pështyhej nga komunistët
Filip Mazreku mbajti ndezur besimin te Zoti mes banorëve të Troshanit edhe pse feja ishte ndaluar në Shqipëri. Ata banorë e donin fratin-muzikant, edhe pse t’i qëndroje afër një prifti dikur të dënuar ishte punë me rrezik. E shfaqën haptas këtë nderim kur mësuesi u përcoll nga kjo botë më 2 nëntor të vitit 1984, me pjesëmarrjen masive të Troshanit dhe Fishtës. Ndërkohë, diktatura jo vetëm ia fshiu emrin mësuesit të Tish Daijas, Çesk Zadesë, Tonin Harapit, Lukë Kaçajt etj., por e arrestoi, e torturoi, e dërgoi në kampin e Bedenit dhe në fund e detyroi të punonte si bujk.
Nga: Arta Çano
Ajo që ka ndodhur me muzikën klasike shqiptare, duket si pjesë e një projekti hyjnor. Disa kompozitorë e këngëtarë të mëdhenj janë lindur në mesin e viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Shkodër, aty ku, kur ata mbërritën moshën e mësimeve, ishin formuar tanimë shkollat dhe koret e muzikës nëpër kuvendet katolike. Për këtë ishte dashur të ekzistonin më parë mësuesit që hodhën themelet e këtyre strukturave, siç është Martin Gjoka – kompozitori i parë i muzikës klasike në Shqipëri, frat françeskan, mësues në gjimnazin “Illyricum” i cili themeloi bandën, korin e Kishës së Fretënve dhe shkollën e muzikës. Ai i dha muzikës shqiptare jo vetëm kompozimet e para klasike, por edhe muzikantët që u përgatitën në këto shkolla e u bënë mësues të brezit të ri, siç ishte Prenk Jakova apo Filip Mazreku. Të gjithë, me të drejtë, e njohin kompozitorin e operës së parë shqiptare, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Filip Mazrekun e, megjithatë, nëse do flisnim për historinë e muzikës në Shqipëri, këtë emër nuk mund ta linim kurrsesi pa përmendur.
Filipi, fillimisht nxënës i Martin Gjokës, u bë më pas vazhdues i punës së tij në përgatitjen e brezave të rinj të muzikantëve, atyre të lindur në mes të viteve 1920, si Tish Daija – kompozitori i baletit të parë shqiptar; kompozitorëve Tonin Harapi, Çesk Zadeja; këngëtarit të madh lirik, Lukë Kaçaj etj.
Mazreku i ishte kushtuar muzikës qëkur kishte nisur mësimet në Kolegjën Serafike të Troshanit. E kultivoi këtë pasion nën drejtimin e Justin Rrotës dhe Martin Gjokës, duke u ushtruar në harmoniot e Kishës Françeskane që ishin mësuar të tingëllonin nën gishtërinjtë e këtyre mjeshtërve të mëdhenj. Më pas vazhdoi studimet teologjike në Itali, ku ndoqi edhe mësime muzike. Siç shkruan Daniel Gjeçaj në një biografi kushtuar mikut të tij, Filip Mazrekut, në Itali ai pati mësues mjeshtrin e famshëm, Tomasini, organistin e kuvendit kryesor të Firences.
U kthye në Shqipëri në vitin 1937 dhe që prej atij viti filloi shërbimin e meshtarit dhe punën e mësuesit të italishtes dhe muzikës në “Illyricum”. Filloi të drejtonte edhe grupet korale të fëmijëve 6-7 vjeç.
Tashmë mësuesi i tij, Martin Gjoka, ishte larguar nga Shkodra për në Pukë, në kërkim edhe të një klime më të mirë për shëndetin e rënduar – siç sqaron Anton Lleshi, djali i motrës së Filip Mazrekut i cili ka vënë në dispozicion për këtë shkrim, të gjitha kujtimet, fotot dhe të dhënat e grumbulluara në vite për dajën e vet. Kështu që Filip Mazreku mori edhe drejtimin e “Scuola Canturum” të françeskanëve të themeluar nga Martin Gjoka. Pikërisht në këto grupe, si dikur Prenk Jakova, do të nisnin përgatitjen muzikore Tish Daija, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Simon Gjoni e të tjerë autorë veprash të njohura, që do të mbushnin me tinguj skenat e muzikës klasike dhe do të hynin, përmes këngëve, nëpër shtëpitë dhe zemrat e shqiptarëve, si mision i atij projekti muzikor që, dashur pa dashur, duket hyjnor.
Mirëpo, regjimi komunist që u vendos në Shqipëri pas Luftës, kishte një problem themelor me hyjnoren dhe gjithë format e shprehjes së saj në tokë. U goditën intelektualët, artistët, shkencëtarët, por mbi të gjitha klerikët. Disa godina dikur kisha, kuvende e konvikte, u bastisën dhe u kthyen në burgje dhe vende torturash që, veçanërisht në qytetin e Shkodrës, do të arrinin një numër rekord bashkë me të arrestuarit brenda tyre. Kuvendi françeskan u shpërnda. Disa nga fretërit mbetën në Shkodër, të tjerë shkuan nëpër familje, e të tjerë nëpër famullitë e zonave të thella. Por, megjithatë, të zënë apo jo me punën e shërbimit fetar, të gjithë ishin në pritje, në pritje të ndëshkimit që herët a vonë do të mbërrinte te ta. Dhe, për Padër Filip Mazrekun mbërriti më 28 shtator 1946. E arrestuan në Rrapshë të Hotit, ku ai shërbente në atë kohë – që ndodhet në fillim të rrugës malore për Vermosh.
“Një natë të errët, forcat e Sigurimit, të armatosuna deri në dhambë, rrethuen qelën e Rrapshës, ku bante gjumin e të pafajve Frati muzikant, në mjes të instrumentavet të vet dhe nana e tij plakë, Shaqja, që i shërbente …Trokitshin në derë me qytë mitrolozi. E arrestuen dhe e morën rrëshanë, ngarkue me pranga, pa e lanë as me veshë petkat. E morën njashtu, si kishte kërcy prej shtrojet, zdeshë e zdathë. Gjatë rrugës iu nënshtrue torturave: e pështynë, e rrahën, e rrëxuen disa herë përdhe. Kur mbërrijti në Koplik ishte i lam në gjak. Qysh asaj kohe, betimi ma i madh i tij ishte: Pasha vuejtjet që kam hjekë në Koplik”, shkruan françeskani Daniel Gjeçaj, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1948 dhe një nga figurat kryesore të programit shqip të Radio Vatikanti pas vitit 1955.
Ishin ditët e arrestimeve të vrullshme pas Kryengritjes së Postribës. Pak ditë më parë kishin arrestuar Dom Pjetër Grudën dhe Padër Çiril Canin. Më vonë do të arrestonin edhe Padër Mark Harapin, Padër Frano Kirin dhe Padër Agostin Ashikun. Urdhërarrestet e klerikëve u firmosën nga prokurori i Shkodrës, Hys Zaja, që më vonë do të bënte karrierë si prokuror ushtarak edhe në Elbasan.
Të gjashtë klerikët, siç vë në dukje në një studim, Veli Haklaj, u akuzuan për “dobësim të mbrojtjes kombëtare”, parashikuar nga neni 7, paragrafi II, i ligjit nr. 368, i datës 5 dhjetor 1946, që do të zbardhej në Fletoren Zyrtare më 19 dhjetor 1946, datë kur disa nga arrestimet ishin bërë ndërkohë dhe klerikët ishin burgosur. Në studimin e tij, Haklaj ka publikuar pjesë nga procesverbalet e pyetjes së këtyre klerikëve në zyrat e Seksionit të Sigurimit të Shtetit në Shkodër, për të cilat ai vetë thotë se “duhet konsideruar fakti se ata që patën fatin tragjik të kalonin në seancat hetimore të Sigurimit të Shtetit, u është dashur të përballojnë një kalvar të paimagjinueshëm vuajtjesh dhe torturash nga më çnjerëzoret”. Ndërkohë, edhe nipi i Padër Filip Mazrrekut shfaq rezerva për autenticitetin e këtyre deklaratave që “duken të njëllojta, vetëm emni u ndryshon”. Megjithatë, qëndrimi kundër komunizmit ateist, i shprehur në këto deklarata, është i pamohueshëm.
Filip Mazreku kishte ca arsye të forta më tepër për të qenë kundër komunizmit. “Jam arrestuar më 28 shtator 1946 nga organet e Mbrojtjes së Popullit me akuzë se kam treguar aktivitet reaksionar. Kjo i avitet deri diku të vërtetës, mbasi unë kam qenë i pakënaqun nga pushteti, jo vetëm pse një vëlla më është ekzekutuar nga partizanët, por edhe pse të gjithë priftërinjtë katolikë mbanin qëndrim armiqësor karshi këtij pushteti”, shkruhet në deklaratat e tij.
Në familjen e tyre me origjinë nga Kosova ishin gjashtë vëllezër dhe një motër. Babai Pjetri, pasi kishte punuar në hekurudha në vende të ndryshme, përfshirë dhe Selanikun ku ishte lindur Filipi më 1913, ishte vendosur në Shkodër dhe kishte hapur dy shkolla shqipe në rrethina. Katër nga vëllezërit ishin ushtarakë: dy kapitenë në ushtri dhe dy oficerë kuesture. Kishte kaluar ende pak kohë qëkur komunistët kishin marrë pushtetin dhe nga kjo familje patriotësh një ishte pushkatuar pa gjyq gjatë reprezaljes së tetor-nëntorit 1944 në Tiranë kundër ushtarakëve; dy ishin në burg të dënuar me nga 20 vjet dhe një tjetër ishte dënuar në Jugosllavi pas arratisjes. Tani ishte radha e Filipit.
Hetuesia zgjati me muaj. Filp Mazreku merrej në pyetje nga hetuesi Nesti Kopali. Siç e tregonin edhe rrobat e gjakosura që e motra e Filipit i merrte vazhdimisht për t’i larë, ai bashkë me priftërinjtë e tjerë u tortura pa mëshirë. Edhe orët e kaluara në birucë, kur nuk torturoheshin nga hetuesit, ishin ezauruese, sepse të arrestuarit i mbanin natë e ditë lidhur me pranga me një të dënuar tjetër, duke krijuar mes tyre një hallkë përçuese të dridhjeve, vuajtjeve, gulçimeve, rënkimeve e anktheve, që edhe kur linin njërin, i nisnin tjetrit e thuajse nuk qetësoheshin kurrë. Filip Mazrrekun, siç tregon i nipi, e lidhën me mullisin e Drishtit; Aliut dhe fratit katolik i duhej të ulej me të sa herë që Aliu mysliman falej. Kjo marrëdhënie kaq e afërt bashkoi më pas në miqësi të përhershme familjet e tyre. Sipas Anton Lleshit, të cilit ia ka treguar këto vuajtje e ëma, motra e Filipit, pasi vetë daja nuk u tregonte gjë, Filip Mazrreku gjatë kohës së hetuesisë provoi disa nga torturat më makabre që aplikonin hetuesit komunistë në ato vite: vezët e ziera në sqetull, lidhjen në thes me një mace, kunja pishe poshtë thonjve, çengela në shpinë etj.
Fillimisht e dënuan me pushkatim, por më pas dënimi iu kthye në 10 vjet burg. E dërguan në Beden ku një brigadë ishte e gjitha me priftërinj katolikë – 28 syresh nga 26 në 75 vjeç punonin në kushte shfarosëse për të hapur kanale e ku sigurisht më të rinjtë siç ishte dhe Filip Mazrreku, 35 vjeç në atë kohë, duhej të mbanin peshën më të madhe dhe pse duart e tij ishin bërë për t’i rënë organos. U lirua pas tre vitesh, në një nga ato rishikimet që diktatura i bënte vetvetes.
Feja ishte ende e lejueshme në Shqipëri dhe Filip Mazreku iu rikthye veprimtarisë fetare, fillimisht në Tiranë si rektor i Kishës Françeskane, mandej në Laç e si përfundim në Troshan. U kthye në famullinë e atij vendi ku kishte nisur rrugën meshtarike e ku edhe do ta mbyllte, bashkë me jetën.
Shërbeu publikisht deri në vitin 1967, kur feja u shpall e paligjshme. Më pas iu desh që trupit dhe jetës t’i jepte një veshje laike. Me zor nxori lejen e banimit për një kolibe që kishte qenë furrë buke, pranë Kishës së Troshanit, dhe me ndihmën e të afërmve e bëri të banueshme. Veshi rrobat e bujkut. Nisi punë në kooperativën bujqësore të fshatit. Gishtat e tij prej pianisti edhe një herë tjetër u detyruan të kapnin vegla pune të rëndë. Këtë herë përgjithmonë. Megjithatë, brenda kësaj veshjeje të re mbetej po ai shpirt meshtaraku. Troshani nuk kishte më një ndërtesë për shërbesat fetare, por kishte një njeri që mund të mbante gjallë besimin dhe shpresën në Zot te ata njerëz të varfër e të munduar nga puna e rëndë, që rastisën të ishin ndër njerëzit më besnikë në Shqipërinë e përçudnuar nga diktatura, duke mbrojtur me heshtjen dhe dashurinë e tyre, priftin që, kësisoj, i shpëtoi arrestimit të dytë.
Banorët e Troshanit u bënë familja dhe miqtë e tij, por nuk i mungoi as kujdesi i familjes dhe pak miqve të dikurshëm. Në mënyrë të veçantë, Anton Lleshi përmend bashkëshortin e motrës së vet, mbesës së Filip Mazrekut, Ndoc Mjeda, “arsimtar në Bushat, që shkonte vazhdimisht dhe i dërgonte ushqime dimën e verë”. Por, kishte shkuar ta vizitonte edhe ish-nxënës i tij, Lukë Kaçaj brilant e kokëkrisur që nuk trembej lehtë, siç ndodh me të gjithë njerëzit – pak sa janë – që mbështeten te e vërteta dhe e drejta.
Ishte kjo lloj dashurie njerëzore, veç dashurisë hyjnore e cila do e gjente në çdo burg e kolibe, dhurata e vetme që i dha jeta këtij frati muzikant e që ishte shumë ato kohë kur ishte e vështirë të tregoheshe mik apo njeri. Ajo dashuri e shoqëroi me një manifestim thuajse unikal edhe pasi mbylli sytë më 1 nëntor 1984 dhe kur u përcoll nga kjo botë të nesërmen. “Dua të kujtoj popullin e Troshanit që e deshti dhe e respektoi aq shumë dajën Padër Filipin sa e mbajtën në gjinin e tyne, nji rast i rrallë me priftat e tjerë dhe kur vdiq, morën pjesë edhe ata në nji ceremoni të madhe, se na si të afërm e kishim për detyrë. Nuk mjaftoi kjo, por i banë dhe vorrin, që i falënderoj pa masë”, tregon Antoni. Filip Mazreku u vendos në varrezën pas Kuvendit të Troshanit, ku prehet edhe sot.
Diktatura nuk e kujtoi në asnjë datë të rëndësishme; u mundua ta zhdukte emrin e Filip Mazrekut nga historia e muzikës dhe nuk e përmendi kontributin e tij kurrë, pavarësisht që jeta e varfër e njerëzve gjatë atyre viteve u bë më e bukur nga muzika që krijuan nxënësit e atij njeriu, i cili prehej në Troshan, ku kishte punuar si bujk larg muzikës dhe vëmendjes së publikut … duke të kujtuar një shprehje të George Eliot: “… që gjërat nuk janë aq keq sa mund të ishin, për mua dhe për ty, u detyrohet, në gjysmën e rasteve, atyre që jetuan një jetë të fshehtë dhe pushojnë në varre të pavizituar”. /kujto.al/