Mësuesi nga Suedia, Neziraj: Albinin nuk po e leni me punu, ai është patriot dhe i pakorruptum
Elez Neziraj, mbështetës i kryeministrit Albin Kurti, jeton në Suedi që prej 32 vjetësh. Është mjaft aktiv në rrjetin e tij social Facebook, duke paraqitur pikëpamjet kundrejt të gjithë kritikëve të Qeverisë Kurti.
Në një intervistë për Kosovalive.net, Neziraj, i cili është mësimdhënës në Suedi, u shpreh tepër i zhgënjyer me kritikat ndaj Kurtit.
“Nuk po e leni me punu Kurtin. Ai është patriot dhe i pakorruptuar”, tha i hatruar Neziraj duke kritikuar mediet, analistët dhe opozitën. Sistemi gjyqësor dhe prokurorial sipas Nezirajt është i kapur nga opozita dhe për këtë arsye kjo qeveri po pengohet që ta luftojë korrupsionin dhe krimin, theksoi ai. “Duhet me pritë me kry mandantin, ju kanë gjujtë krejt Albinit”, pohoi bashkatdhetari nga Suedia teksa kur u pyet se si i sheh aferat e kësaj qeverie, si: Zdravo, Mielli, Gruri, Vaji, Sheqeri, Martin Berishaj, megaskandalet në energji, ai tha se gjykatat duhet t’i dënojnë edhe pse është i bindur se prokuroria është e kapur nga opozita. Mërgimtari nuk dha asnjë fakt për këtë veç përshtypjes publike që është edhe rezultat i diskursit të mazhorancës, kur kjo e fundit po e akuzon prokurorinë të kapur.
Neziraj meqenëse është mësimdhënës në Suedi dhe këtë punë e kishte bërë edhe për sa kohë që ishte në Kaçanik, tha se është i gatshëm të bëhet ministër i Arsimit nëse do të ftohej nga kryeministri Kurti. “Do të punoja pa pagë, vetëm që t’i shërbejë arsimit, nxënësve, rritjes së cilësisë në arsim, që është domosdoshmëri për Kosovën”, shprehu kështu dëshirën dhe ambicien Neziraj për ta zëvendësuar ministren aktuale Arbërie Nagavci. Përndryshe, ai tha se e do vendlindjen por nuk mund të jetoj në Kosovë.
Neziraj, tha po ashtu se, ka pasur shumë kërcënime, edhe me jetë, për shkak të komenteve të tij publike në mbështetje të z. Kurti dhe kritikave të ashpëra që u ka bërë komandantëve të luftës dhe liderëve opozitarë për siç tha shkatërrimin e Kosovës dhe korrupsionit të madh që kanë bërë.