Mësuesja vdes nga koronavirusi gjatë mësimit online
Një pedagoge universiteti në Argjentinë ka vdekur nga koronavirusi pasi hasi problem me frymëmarrje derisa ishte duke mbajtur një leksion online për studentët.
46-vjeçarja Paola de Simone, e cila jepte lëndën e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Buenos Aires në Argjentinë, ndërroi jetë për shkak të problemeve me frymëmarrjen gjatë një ore mësimi që po zhvillonte në aplikacionin Zoom.
Sipas dëshmive të nxënësve të cilët panë drejtpërdrejt këtë ngjarje të rëndë, pedagogia u shfaq duke gulçuar dhe për këtë ata i kërkuan që ta ndërpriste mësimin dhe të shkonte në spital. Paola kishte shkruar më herët në rrjetet sociale se në fund të gushtit kishte pasur simptoma të koronavirusit të paktën për 4 javë, të cilat nuk i ishin larguar.