Meta: Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve
Pas lajmit se ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka shprehur ngushëllime familjes Demaçi dhe shqiptarëve.
Postimi i plotë i tij:
Jam thellësisht i hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të emblemës së qëndresës shqiptare, Adem Demaçi. Kosova dhe mbarë shqiptarët përjetojnë sot me dhimbje të thellë humbjen e simbolit të rezistencës kombëtare, të luftës për liri dhe të një prej personaliteteve më të vlerësuara në arenën botërore.
Duke u nderuar me çmimin “Sakharov” nga Parlamenti Evropian, kauza e madhe e luftës për një Kosovë të lirë fitoi përmasat e një çështjeje ndërkombëtare të shtruar për zgjidhje.
Patrioti Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve, një shembull dhe një model kombëtar i skalitur në historinë e shqiptarëve dhe të luftës kombëtare për pavarësinë e Kosovës.
Sot humbëm atdhetarin e flaktë, njeriun që mbajti gjallë shpresën e së ardhmes dhe idealin e pavarësisë së Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij!
Demaçi ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare pas një sëmundje të rëndë nga e cila po vuante.
Ai ka qenë i burgosur politik për 28 vjet gjatë jetës së tij dhe më pas u bë I njohur si “Mandela i Ballkanit”.