Meta apel opozitës: Jo retorikë konfliktuale
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka komentuar zhvillimet e seancës së fundit në Kuvend ku u zgjodh kryeprokurorja Arta Marku, ndërsa opozita protestoi dhe hodhi tymuese brenda sallës së Kuvendit.
Meta tha se klima konfliktuale nuk i shërben vendit, kur presin hapjen e negociatave me BE-në gjashtëmujorin e parë të 2018-s. “Të fokusohemi drejt qershorit të këtij viti për negociatat me BE. Vendi i ka të gjitha shanset për negociatat. Nëse humbet kjo mundësi, do të ketë një kosto të madhe për perspektivën e vendit. Stisja e situatave kaotike mund të na kthejë më pas akoma. Duhet të heqim dorë nga fryma konfliktuale”, ka thënë Meta për Report TV.
I pyetur nëse zgjedhja e kryeprokurores vetëm me votat e mazhorancës do ta ngadalësojë reformën në drejtësi, Meta tha se “duket sikur situata është kthyer përpara korrikut të 2016, ku kishte përpjekje për të bërë një reformë jo me konsensus e sipas rekomandimeve të Venecias, por për të dështuar një reformë dhe për të faturuar fajin diku tjetër”.
“Është thënë se Shqipëria ligjet i bën të mira, por çalon te zbatimi. Këtë radhë ne nuk do bëjmë gabim fatal. Kushtetutën e kemi shumë të mirë për çështjen e reformës në drejtësi, pavarësisht nga disa detajime që u bënë atëherë, duke mosparashikuar disa zhvillime në zbatimin e saj të cilat më pas kanë krijuar disa interpretime të ndryshme lidhur ne ndërtimin e institucioneve të reja. Kur palët kërcënojnë njëra-tjetrën, nuk garantojnë për institucione të reja, për drejtësi të re”.