Meta dekreton ligjin e qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit
Në një situatë të tensionuar mes qeverisë dhe Presidencës në lidhje me mosdekretimin e Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm, Ilir Meta ka vendosur që të dekretojë këtë të premte ligjin për lojërat e fatit të qeverisë, draft i cili duke nisur nga janari i 2019 do të mbyllë të gjitha pikat e basteve e kazinove, përveçse atyre në hotelet luksoze.
Meta ka dhënë dakortësimin e tij mbi ligjin, një akt të cilin nuk e kreu në korrik të këtij viti, kur qeveria solli një ligj për një sërë ndryshimesh mbi industrinë, draft të cilin kreu i shtetit e risolli në Kuvend me argumentin se nuk merrte në konsideratë dëmin e madh social në adresë të shoqërisë.
Kujtojmë se dita e sotme ka sjellë po ashtu një klimë konfliktuale mes kryeministrit e Presidentit, i cili deklaroi këtë të premte se diletantët duhet të shohin mirë kushtetutën, një përgjigje kjo për Ramën, i cili pak ditë më parë u shpreh se për mosdekretimin e Lleshit në Ministrinë e Brendshme, Meta nuk kish dhënë asnjë arsye të dalë nga Kushtetuta.