Meta dënon vrasjen e ish-kryeministrit japonez: Do mbahet mend si mik i çmuar i shqiptarëve
Kreu i shtetit Ilir Meta ka reaguar në lidhje me vrasjen e ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, i cili vdiq në spital pas një atentati që iu bë në qytetin Nare, teksa po mbante një fjalim elektoral.
Ndërkohë përmes një postimi në “Facebook”, Meta shprehet i tronditur për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të ish-Kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, teksa dënon me forcë aktin e rëndë kriminal .
Thellësisht i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të ish-Kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.
Dënoj me forcë aktin e rëndë kriminal dhe jam i bindur se autori do të marrë dënimin e merituar!
Duke ruajtur kujtimet e një takimi mbresëlënës gjatë vizitës në Japoni dhe vlerësuar përkushtimin e pandërprerë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ish-Kryeministri Abe do të mbahet mend si një mik i çmuar i Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Ngushëllimet më të ndjera për familjen dhe popullin mik japonez, të cilëve u gjendemi pranë në këto momente të vështira!– u shpreh meta në postimin e tij.
Kujtojmë se Abe po mbante fjalim për një kandidat në Nara kur ndodhi sulmi dhe ishte duke iu bërë thirrje votuesve që të mbështesin partinë e tij në zgjedhje.
Ai ishte kryeministri më jetëgjatë në pushtet. Abe ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020.