Meta e Gjeloshaj: Shqiptarët në Malin e Zi, faktor kyç për të ardhmen euroatlantike të këtij shteti
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në takim kryetarin e komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Meta ka bërë me dije se me Gjeloshajn kanë vlerësuar se shqiptarët e Malit të Zi do të vazhdojnë të jenë faktor kyç në të ardhmen euroatlantike të shtetit malazez.
“Një takim i ngrohtë dhe vëllazëror me kryetarin e komunës së Tuzit, z.Nik Gjeloshaj. I urova suksese gjatë mandatit të tij, me bindjen se kjo fitore është jo vetëm një mundësi për të përmirësuar qeverisjen vendore, por njëkohësisht edhe për të treguar aftësitë drejtuese të shqiptarëve të Tuzit, përmes bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me malazezët dhe me të gjithë grupimet e tjera etnike.
Ndamë vlerësimin se shqiptarët në Malin e Zi do të vazhdojnë të jenë faktor kyç për të ardhmen euroatlantike dhe evropiane të këtij vendi mik dhe partneri të rëndësishëm për paqen e stabilitetin në rajon”, ka shkruar Meta në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/