![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/06/IMG_20220609_215944.jpg)
Meta e zbulon publikisht: Ja pse e dekretova lirimin e Bajram Begajt
Presidenti Ilir Meta tregoi ditën e sotme arsyen pse firmosi dekretin për lirimin nga detyra të Bajram Begajt si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Ai ishte i ftuar në “Open” ku tregoi se përderisa u bë një kërkesë zyrtare nga qeveria dhe vetë kandidati, që kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e shefit të Shtabit dhe kishte kërkuar të lirohej, Meta nuk kishte asnjë arsye për ta penguar.
Meta tha se do të ishte absurditet dhe nuk do të ishte as etike të merrte më shumë kohë për lirimin e Bajram Begajt nga detyra.
“Më duket një debat tërësisht absurd, megjithatë jemi në demokraci dhe çdo akt mund të kontestohet, por besoj se kam kryer detyrën time, që më takonte, në mënyrë që të mos pengoja parlamentin të ushtronte të drejtën e tij, raundin e katërt. Qëlloi që kandidati i propozuar kishte një pengesë për t’u shprehur Kuvendi dhe derisa u bë një kërkesë zyrtare nga qeveria dhe vetë kandidati, që kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e shefit të Shtabit dhe kishte kërkuar të lirohej, pa dyshim që unë nuk kisha asnjë arsye që të mos i krijoja këtë mundësi.Mund të merrja kohë në një rast tjetër por të marrësh kohë për një kandidat i cili është shefi i shtabit të përgjithshëm, të cilin e kisha dekretuar më parë dhe i plotëson të gjitha kushtet, për një detyrë të tillë, ishte një absurditet dhe në fund të fundit nuk do të ishte as etike sepse bëhej fjalë për pasuesin tim”, tha Meta. /dritare.net