Meta: Hiqni dorë nga kokëfortësia
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dalë sot me një reagim mbi situatën politike në vend. Ai ka vlerësuar se Shqipëria ka fare pak kohë për të gjetur një zgjidhje për krizën para vendimit të 18 tetorit, për hapjen ose jo të negociatave.
Meta ka shtuar se duhet hequr dorë urgjentisht nga kokëfortësia e ecjes në dy rrugë përjashtuese, jodemokratike dhe joeuropiane, që s`kanë pikë takimi, jo vetëm me njëra-tjetrën, por që të dyja e nxjerrin vendin për një kohë të pacaktuar nga rruga evropiane e sigurt dhe e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët.
Sipas tij, populli shqiptar nuk e meriton të mbetet i fundit në rajon, për shkak të liderëve të tij të llastuar.
Presidenti e vijon reagimin duke theksuar se Shqipëria është lodhur me marrëveshje tejet të vonuara, që sakrifikojnë të ardhmen e saj, për të shpëtuar karrierat e politikanëve të papërgjegjshëm, në emër të gjoja stabilitetit që ata e minojnë çdo ditë me sjelljet dhe mosveprimet e tyre.
Shqipëria e para, me vepra dhe jo fjalime, ka shkruar presidenti.