Meta i bën ftesë William Walkerit që ta vizitojë Shqipërinë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka postuar në llogarinë e vet në “Facebook” një fotografi me ambasadorin William Walker.
Meta ka marrë pjesë dje në shënimin e 21-vjetorit të masakrës së Reçakut.
“I lumtur të ritakohesha në Kosovë me Ambasadorin William Walker. Shqiptarët kudo në botë do t’i jenë përherë mirënjohës për denoncimin historik që i bëri Masakrës së Reçakut”, ka shkruar Meta.
Postimi i plotë i Metës:
I lumtur të ritakohesha në Kosovë me Ambasadorin William Walker. Shqiptarët kudo në botë do t’i jenë përherë mirënjohës për denoncimin historik që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit.
Integriteti i tij i lartë ndihmoi botën të zbulonte genocidin që ndodhte çdo ditë, dhe vuri diplomacinë në veprim përmes Konferencës së Rambujesë, dhe më pas ndërhyrjes historike të NATO-s, për t’i dhënë fund përgjithmonë spastrimit etnik në zemër të Europës.
E ftova me shumë kënaqësi për të vizituar Shqipërinë, dhe sigurisht Sarandën që ai e do aq shumë.