Meta i shkruan OSBE-së për krizën politike në Shqipëri
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë me dije të premten se i është drejtuar një letër përfaqësuesve të OSBE-së nga të cilët ka kërkuar që të vijnë në Tiranë për të negociuar krizën politike në të cilën gjendet shteti shqiptar.
“Sot unë kam formalizuar dhe një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së, por edhe kryetarit të radhës së OSBE-së, ministrit të Jashtëm të Sllovakisë dhe presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së meqenëse Shqipëria përgatitet për të marrë kryesimin e OSBE-së vitin e ardhshëm, dhe ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për të negociuar me të dyja palët këtu për arritjen e një zgjidhjeje sa më të shpejt, pasi nuk kemi kohë. Jo vetëm për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj situate të padenjë për qytetarët, por edhe për një vend i cili duhet të jetë shembull në kryesimin e OSBE-së”, ka thënë Meta.
Për krizën politike për herë të parë presidenti Meta ka bërë përgjegjëse edhe opozitën shqiptare.
“Kam insistuar prej shumë kohësh për dialog dhe jo për diversion dhe demagogji, por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët për të rivendosur normalitetin dhe demokracinë në vend dhe që të funksionojë llogaridhënia. Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka, një situatë kaotike në të gjitha drejtimet, kjo është përgjegjësi e të gjitha palëve, asnjë nuk mund të shfajësohet, sepse opozita i ka pasur mundësi për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë dhe të përgjegjshme shumë nga këto marrëzitë e skenarit të kapjes së institucioneve. Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk takohen me njëra tjetrën që janë; rruga e kapjes së institucioneve nga njëra anë dhe rruga tjetër e delegjitimimit të të gjitha institucioneve. Ne jemi një vend dhe kemi nevojë për një rrugë të përbashkët, anëtarësimi në BE dhe dy palët të tregojnë përgjegjësi për të mos e cenuar këtë vullnet”, është shprehur Meta.
Sipas Metës, kostoja e krizës politike do të duket në tetor në vendimin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
“Ajo që na shqetëson më shumë është ky teatri absurd politik, i cili kërcënon që Shqipëria të dërrmojë çdo mundësi për të çelur negociatat në tetor, prandaj i bëj thirrje të gjithëve, e sidomos të tre artistëve t’i japin fund këtij absurdi, të marrin masat për zbatimet vendore për 13 tetorin sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi e normalitet, një qeverisje vendore të ligjshme e që garanton llogaridhënie”, ka thënë ai, duke shtuar se zgjedhjet e 13 tetorit nuk do zgjidhin gjithçka.