Meta ironizon me fitoret e qeverisë dhe opozitës

05 gusht 2019 | 13:52

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka ironizuar me sjelljen politike të mazhorancës dhe opozitës pas 30 qershorit.

Meta ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” se këto fitore që gëzojnë liderët sjellin pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. “E kam fjalën për fitoren “e vërtetë” të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë. Por edhe entuziazmi i liderëve të opozitës se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t’i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore”, ka shkruar Meta.

Sipas tij, këto veprime janë të rrezikshme për të ardhmen evropiane të shqiptarëve. “Fitorje të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë te sigurt, por lenë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor. Ndërkohë asgjësimi i llogaridhënies së pushtetit vendor (pas atij qendror), i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të përzgjedhurve të saj për të administruar çdo pushtet, pasuri dhe pronë publike, në mënyrë arrogante dhe të pakontrolluar. Viktimat e këtyre ‘fitoreve’ janë të gjithë qytetarët shqiptarë pa dallime partiake”, ka shkruar  presidenti shqiptar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sheshi qendror i Ferizajt të hënën është ‘vërshuar’ nga qindra…