Meta: Italia të vlerësojë potencialet e ekonomisë shqiptare
Kreu i shtetit Ilir Meta është takuar sot me zëvendësministrin italian për Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë Ndërkombëtare, Ivan Scalfaroto.
Duke vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, Meta i nxiti përfaqësuesit e sipërmarrjeve italiane të vlerësojnë potencialet e ekonomisë shqiptare, në fushat e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, agro-industrisë, etj.
Presidenti Meta theksoi se Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse për investimet italiane në të gjithë rajonin. Duke iu referuar në mënyrë të veçantë projektit TAP, kreu i shtetit nënvizoi se ai ka një rëndësi madhore, jo vetëm për Shqipërinë dhe Italinë, por edhe për të gjithë rajonin, si dhe për sigurinë energjetike të vetë BE-së.
Në këtë kuadër, Presidenti Meta vlerësoi si projekte strategjike me impakt të gjerë rajonal edhe nevojën e bashkëpunimit për modernizimin e infrastrukturës së rrjetit hekurudhor në Shqipëri, si dhe të realizimit të lidhjes së interkonjeksionit energjetik me Italinë.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e çmuar që Italia i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE.