Meta ka një mesazh për partitë politike në Shqipëri
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka bërë thirrje partive politike të ndërmarrin hapa seriozë për konstituimin e institucioneve të reja, që reforma në drejtësi të bëhet reale.
Ai ka marrë pjesë në Konferencën “Efikasiteti i procedurave gjyqësore në Gjykatat Administrative të Shqipërisë dhe efektet e Reformës në Drejtësi”.
“I bëj thirrje forcave politike, Kuvendit, shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të sistemit gjyqësor të ndërmarrin sa më shpejt me transparencë veprime konkrete që në frymën e Kushtetutës së vendit dhe duke ndjekur këshillat e vyera të Komisionit të Venecias të ndërmarrin hapa seriozë që reforma të bëhet reale, e prekshme dhe efektive sa më shpejt, larg politizimit të skajshëm dhe interesave partiake të ditës. Çdo vonesë e mëtejshme është në dëm të interesit publik, funksionimit të gjykatave, vetë reformës e mbi të gjitha të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë”, ka deklaruar kreu i shtetit.
Meta ka shtuar më tej se çdo vonesë në konstituimin e institucioneve të reja sjell efekt negativë në të gjithë sistemin gjyqësor, dhe moskrijimi i tyre vonon dhe zgjidhjen e problematikës së shfaqur në plotësimin e trupës gjyqësore.