Meta kërkon anulimin e projektit për ‘Unazën e Re’
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në takim përfaqësuesit e banorëve të “Unazës së Re”, të cilët janë duke kundërshtuar projektin e zgjerimit të saj.
Pas këtij takimi, Meta ka kërkuar nga Qeveria Rama që ta anulojë këtë projekt. “Presidenti i Republikës, në vlerësim të gjendjes së paligjshmërisë ekstreme të konstatuar nga keqfunksionimi i institucioneve të administratës shtetërore dhe të situatës së krijuar, vlerëson se kjo çështje mund dhe duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare. Për këtë është e domosdoshme që Qeveria të tregojë vullnetin politik dhe të anulojnë menjëherë projektin. Pas anulimit të plotë të projektit ekzistues të nisin procedurat me garë të hapur për të realizuar një projekt të ri, i cili do të duhet të ofrojë zgjidhjen më të mirë teknike për zhvillimin urban të Tiranës”, është thënë në njoftimin e Presidencës.
Projekti i “Unazës së Re” ka ngjallur pakënaqësi të shumta, sidomos tek banorët e “Unazës së Re”, të cilët disa herë kanë protestuar me qellim të anulimit të projektit në fjalë.
/Epoka e re/