Meta kërkon nga partitë politike në Kosovë të bëhen bashkë për dialogun me Serbinë

07 qershor 2021 | 14:14

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar të hënën erdhe presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Konjufca dhe Meta kanë diskutuar për marrëdhëniet që Kosova dhe Shqipëria kanë sendërtuar ndër vite në shumë sfera të bashkëpunimit, ndërsa janë dakorduar që midis dy vendeve ende ka hapësirë për forcimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.

Kryeparlamentari Konjufca ka theksuar rëndësinë e heqjes së të gjitha barrierave ekonomike dhe nevojën imediate të partneritetit strategjik, si dhe për nismat rajonale dhe integrimet euro-atlantike.

Ai ka ritheksuar qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal por vetëm mbi bazën e barazisë dhe të reciprocitetit.

Më tutje, Konjufca ka falënderuar presidentin Meta për mbështetjen konsistente dhe përkrahjen e fuqishme që shteti shqiptar i ka dhënë e vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese.

“Roli dhe kontributi i Shqipërisë ka qenë vendimtar në të gjitha periudhat dhe rrugëtimet tona si komb, sikurse edhe gjatë luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se shteti shqiptar mbështet dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes tyre, si dhe i ka inkurajuar të dy vendet, që marrëveshjet e arritura mes tyre të mos të mbesin vetëm në letër.

Meta ka thënë se është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.

Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se sfidat aktuale dhe ato që i presin në të ardhmen të dyja vendet, shtrojnë nevojën e bashkërendimit dhe konsolidimit më të madh të politikave zyrtare të Shqipërisë dhe Kosovës. ​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i PSG-së, Nasser Al Khelaifi është shumë i sigurt…