Meta kërkon nxitjen e turizmit me Kalabrinë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është pritur të martën nga presidenti i rajonit të Kalabrisë, Gerardio Mario Oliverio.
Presidenti Meta vuri në dukje raportin e ngushtë mes Shqipërisë e Kalabrisë, duke theksuar se ka një potencial të madh ekonomik, tregtar, arsimor, kulturor e historik mes dy vendeve.
“Kalabria është shumë e rëndësishme për ne, sepse këtu është zemra e bashkësisë arbëreshe të zhvendosur në Itali që në Mesjetë. Ju jemi mirënjohës që kanë ruajtur gjuhën, traditat, zakonet, identitetin që nga koha e Skënderbeut. Është meritë e tyre, por edhe e kalabrezëve dhe italianëve, që i kanë mirëpritur”, u shpreh Meta.
“Turizmi është një nga fushat ku mund të gëzojmë bashkëpunim më të ngushtë. Ashtu siç kemi marrëveshjen me Rajonin e Puljas, mund të bëjmë edhe me Rajonin e Kalabrisë, duke përfituar edhe nga projektet evropian”’, vuri në dukje kreu i shtetit, duke e ftuar presidentin Oliverio për një vizitë të shpejtë në Shqipëri për ta konkretizuar edhe më tej këtë bashkëpunim.
Presidenti i Rajonit të Kalabrisë ka vlerësuar vizitën e kreut të shtetit shqiptar si një sinjal shumë domethënës për bashkëpunimin mes dy vendeve, duke nënvizuar lidhjet e vjetra historike dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy popujve, si dhe rolin e rëndësishëm në këtë drejtim të bashkësisë arbëreshe në rajonin e Kalabrisë në këtë drejtim.
“Është një bashkësi që ka treguar përgjatë shekujve se si kultura, ekzistenca, ruajtja e traditave dhe gjuhës, por sidomos integrimi i tyre në Itali, kanë treguar se kjo është rruga e drejtë për të ilustruar mesazhet e paqes dhe bashkëjetesës”, ka thënë Oliveiro.