Meta kërkon transparencë dhe përgjegjshmëri për evidentimin e pasojave të tërmetit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pas situatës tërmeteve që kanë tronditur vendin, ka thënë se duhet ruajtur qetësia nga të gjithë, derisa ka vënë theksin në rëndësinë e frymës së bashkëpunimit dhe solidaritetit njerëzor, pa përjashtim, nga aktorët institucionalë, politikë, shoqërorë dhe mediatikë, për normalizimin e plotë të situatës.
“Transparenca dhe përgjegjshmëria maksimale për evidentimin e pasojave është tepër e rëndësishme në këto momente”, ka thënë Meta.
Ai ka thënë se vlerësimi teknik i banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara është tepër i domosdoshëm për të ardhmen.
Duke vlerësuar edhe solidaritetin e vendeve partnere dhe Bashkimit Evropian, presidenti Meta i ka kërkuar Qeverisë të ftojë zyrtarisht edhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që ka kapacitetet e duhura për të përcaktuar sigurinë dhe rezistencën e banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore.
“Keqpërdorimi nga kushdo i kësaj situate, nuk është rruga e duhur për të përballuar një shqetësim të përgjithshëm, në mënyrë të bashkuar dhe të përgjegjshme, vetëm në interes të qytetarëve të traumatizuar nga tronditjet dhe pasojat në banesat e pronat e tyre. Të gjithë duhet të shtojnë kontributet pozitive dhe solidare në bazë të përgjegjësive institucionale, politike, shoqërore dhe qytetare”, ka thënë Meta.