Meta: Kolë Berisha ishte aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare
Presidenti shqiptar Ilir Meta ka dërguar një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kolë Berisha.
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve duke shprehur vlerësimet lart veprimtarin e të ndjerit.
Ai ka vlerësuar se Berisha ishte një aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare.
Postimi i plotë i Metës:
Me hidhërim mora lajmin për largimin nga jeta të z.Kolë Berisha, politikanit të urtë dhe vizionar të Kosovës, deputet në disa legjislatura dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova.
Është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të thella!
Aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, angazhimin jetësor të Kolë Berishës nuk e ndalën as persekutimet dhe burgosjet, për të spikatur si ish-Kryetar Kuvendi dhe ish-deputet, me kontributin e tij përherë të respektuar për konsolidimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.
Urtësia, veprimet e matura dhe të mençura politike të Bacës Kolë do të kujtohen gjithmonë me nderim!
Të prehet në paqe!