Meta: Kosova dhe Serbia bashkë në BE por pa prekur kufijtë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se konsolidimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është e rëndësishme për rajonin e më gjerë.
Në një intervistë për gazetën italiane “Il Messaggero”, presidenti Meta vlerësuar se të dy shtetet duhet të bashkëpunojnë në rrugën e integrimit evropian, por pa prekur çështjen e kufijve.
“Për paqen, jo vetëm në rajonin tonë, është themeltare që Beogradi dhe Prishtina të konsolidojnë marrëdhëniet dhe të shkojnë bashkë, akoma më shumë, në rrugën e integrimit evropian por pa prekur çështjen e kufijve”, ka thënë Meta.
Gjithashtu, presidenti Meta në këtë intervistë ka folur edhe për takimin e nesërm në Vatikan me Atin e Shenjtë.
“Ne falënderojmë Atin e Shenjtë për vëmendjen e veçantë që ka pasur për Shqipërinë dhe mbështetjen për bashkëjetesën tonë shembullore fetare. Mbi të gjitha vendi ynë është vendi i Shenjtores Nënë Terezë dhe i Kardinalit Ernest Simoni-Troshani, i martirizuar për dekada në burgjet komuniste bashkë me dhjetëra klerikë të tjerë”, është shprehur Meta.