Meta me mesazh prekës për mbështetjen e FSK-së: Rrezikuat jetën për vëllezërit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dhënë një mesazh prekës, teksa ka marrë pjesë në ceremoninë e vlerësimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Duke shprehur mirënjohje të thellë për ndihmën dhe solidarizimin maksimal të Kosovës në këto momente dramatike për Shqipërinë, Meta ka theksuar se tërmeti i 26 nëntorit tundi si asnjëherë më parë themelet e shumë ndërtesave, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.
Gjithashtu, Meta ka falënderuar vendin e dytë të shqiptarëve edhe për mbështetjen e jashtëzakonshme financiare, duke u shprehur se “Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre”.
Mesazhi i Metës:
Nuk ka emër dhe vlerësim më të mirë, sesa “shpëtimtarë” për të gjithë ju të FSK. Do donim t’i festonim festat e nëntorit së bashku, por ja që nuk ishte e thënë. Megjithatë, edhe ky 28 nëntor që sapo lamë pas, na gjeti të përbashkuar si asnjëherë tjetër në historinë tonë, të gjithë shqiptarëve, për t’u përballur me pasojat katastrofike të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.
Në këtë betejë të vërtetë, me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. Shumë vende mike e partnere bënë më të mirën e mundur për të na u gjendur pranë, por Kosova ishte e para që u ndodh aty, në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e çdo shqiptari.
Ekipet tuaja ishin aty vëllazërisht për të shpëtuar jetë. Do ju jemi gjithmonë mirënjohës forcave të Kosovës, ekipeve të kërkim-shpëtimit, të shëndetësisë, policisë ushtarake, ekipit të vlerësimit, njësisë zjarrfikëse, etj, që treguan solidarizim, profesionalizëm dhe gatishmëri.
Kosova duhet të jetë krenare për forcat e sigurisë së saj, por edhe të policisë. Çdo vend i NATO-s është krenarë me ta.
“Kush shpëton jetë, shpëton një botë të tërë”, ka thënë Nënë Tereza. Ju shpëtuat shumë jetë dhe për këtë ju jemi mirënjohës. Kosova dha dhe kontribut financiar, duke nxitur mbështetjen e jashtëzakonshme. Marrëdhënia jonë me Kosovën është e palëkundur edhe në momente dramatike.
Kosova ka një zemër bujare, edhe ata në pamundësi ekonomike shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre.
Tërmeti i 26 nëntorit tundi fort, si asnjëherë më parë, themelet e shumë ndërtesave në Shqipëri, dhe madje i rrëzoi shumë keq disa prej tyre, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.