Meta: Ministria e Jashtme nuk mund të kthehet në autoshkollë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar sërish për mosdekretimin e Gent Cakaj në postin e ministrit të Jashtëm.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë.
“Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Partia Socialiste ka kapacitete të jashtezakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Meta.
Ai ka theksuar se Shqipëria do jetë gjithmonë faktor paqe e stabiliteti në rajon.
“Shqipëria do ketë një lidership të besueshëm edhe në kryesimin e OSBE-së. SHQIPËRIA E PARA”, ka shkruar presidenti Meta.