Meta: Mos ta humbim mundësinë e hapjes së negociatave me BE-në
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se duhet të bërë gjithçka për të mos humbur mundësinë që në qershor të kemi një vendim për hapjen e negociatave për anëtarësim midis Shqipërisë dhe BE-së.
Meta ka theksuar se kjo është përgjegjësi sikur e qeverisë ashtu edhe e opozitës.
“Kur bëhet fjalë për çështje më të mëdha siç është reforma në drejtësi, e cila ka të bëjë me institucione tepër të rëndësishme kushtetuese dhe reformë që duhet të japë patjetër rezultate pozitive, kjo është detyrim i të dy palëve që të ulen dhe të zbatojnë me korrektësi ato ndryshime kushtetuese që janë miratuar me konsensus larg nxitjes së konfliktualitetit. Për të pasur konflikt është gjëja më e thjeshtë, por detyra për çështje të tilla është për t’u marrë vesh, jo për t’u konfliktuar pa fund”, ka thënë ai në televizionin Korça, transmeton “Klan Kosova”.
Viti 2018 është përcaktuar si vit vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në.