Meta në Japoni, merr pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit
Me ftesë të Perandorit të Japonisë, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta do të nisët sot për në Tokio, për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit të ri të Japonisë, Naruhito.
Gjatë qëndrimit të tij në Tokio, presidenti Meta do të pritet në një takim të veçantë nga kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, si dhe do të ketë takime me disa kryetarë të shteteve të ndryshme, pjesëmarrës në këtë ceremoni.
“Japonia është një partner tepër i rëndësishëm i Shqipërisë, me kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Shqipëria dhe shqiptarët janë shumë mirënjohës për solidaritetin, mbështetjen dhe ndihmat bujare teknike e financiare të dhëna ndër vite, që e kanë forcuar edhe më shumë ndjenjën e miqësisë së popullit shqiptar për Japoninë dhe popullin japonez”, është thënë në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.
Po ashtu, Presidenca ka njoftuar se hapja e ambasadave në Tiranë dhe në Tokio, ka dinamizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet si kurrë më parë, duke rritur jo vetëm bashkëpunimin politik e ekonomik, por mbi të gjitha kontaktet e drejtpërdrejta midis dy vendeve.