Meta në Kalabri: Arbëreshët janë pasuri ndërkombëtare
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Kalabri është takuar me Ipeshkvin e Eparhias së Ungrës, Donato Oliverio si dhe me autoritetet vendore e përfaqësues të bashkësisë arbëreshe, të cilët kanë organizuar një pritje madhështore për presidentin shqiptar
Gjatë takimit me udhëheqësit fetarë të Eparhias së Ungrës, presidenti Meta, ka mirëpritur me kënaqësi propozimin e tyre për krijimin e një këshilli që do të punojë për ruajtjen e zakoneve, tipareve dhe riteve identitare arbëreshe, duke premtuar mbështetjen personale e institucionale, sidomos në vit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
:Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu na bashkon të gjithë shqiptarëve kudo në botë! Mbetemi borxhlinj dhe kemi mirënjohje të pakufishme ndaj motrave dhe vëllezërve tanë arbëreshë, të cilët për breza të tërë janë edhe sot ruajtësit e vetëm të gjuhës së Skënderbeut. Ky është një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe për trashëgiminë mesdhetare, evropiane e botërore”, ka thënë Meta.