Meta në Marok: Po punojmë për të kapërcyer sfidat e emigracionit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Marrakesh, Marok për të adaptuar “Kompaktin Global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt”.
Duke i’u drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, si dhe 150 krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrës, presidenti Meta është shprehur se Kompakti Global është rezultat i trendit gjithnjë në rritje të migrimit. “Është rezultat i shqetësimit tonë të përbashkët. Por është gjithashtu rezultat i domosdoshmërisë për një reagim kolektiv e të përbashkët në partneritet dhe solidaritet brenda një kuadri shumëpalësh”, ka thënë Meta, raporton “TCh”.
Duke u ndalur tek aspiratat e vendit drejt BE-së, Meta ka thënë se Shqipëria ka përafruar politikat e azilit dhe migracionit me rregullat dhe ligjet komunitare të BE-së dhe me Konventën e Gjenevës.
“ Shqipëria dhe migrimi nuk janë të panjohura për njëri-tjetrin. Prandaj ne i kushtojmë rëndësi të veçantë kësaj çështjeje, duke mbetur plotësisht e angazhuar me angazhimet tona ndërkombëtare dhe duke u zotuar të respektojmë objektivat e Paktit Global të Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar Meta.
Meta ka theksuar se Shqipëria është duke punuar ngushtësisht me vendet evropiane dhe vendet e tjera fqinje për t’u përballur dhe kapërcyer sfidat e migracionit.