Meta në Shkup: Është me rëndësi përfundimi me sukses i Marrëveshjes së Prespës
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Maqedoni ku është takuar me kryeministrin e këtij shteti, Zoran Zaev.
Meta e ka përgëzuar atë për përparimin e shënuar nga vendi i tij si dhe ka vënë në dukje shpresën dhe dëshirën që Marrëveshja e Prespës ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit të përfundojë sa më shpejt dhe me sukses.
“Është me rëndësi përfundimi me sukses i Marrëveshjes së Prespës. Kjo do të mundësonte jo vetëm anëtarësimin zyrtar të Maqedonisë në NATO, por do të ndihmonte edhe marrjen e një vendimi të favorshëm në qershor për procesin integrues evropian, duke shënuar sukses për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, paqen dhe stabilitetin e mbarë rajonit tonë”, ka thënë Meta.
Ai ka theksuar se Shqipëria është e angazhuar për respektimin e të drejtave të pakicës maqedonase.
Meta dhe Zaevi kanë theksuar rëndësinë e forcimit të përpjekjeve në rrugën e reformave për çeljen e negociatave qershorin e ardhshëm me Bashkimin Evropian, shkruan “Top Channel”.
Duke e falënderuar Zaevin për atmosferën pozitive të krijuar për shqiptarët në Maqedoni, presidenti Meta ka vënë në dukje kënaqësinë që po merr pjesë në festimet zyrtare e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Shkup.
“Kongresi i Manastirit dhe Alfabeti i Gjuhës Shqipe shënojnë ngjarje tepër të rëndësishme dhe historike, sepse sollën dhe mundësuan bashkimin e shqiptarëve dhe ndihmuan për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912-n”, ka thënë Meta.
Ndërsa kryeministri Zoran Zaev, ka vënë në dukje se Maqedonia tashmë po kalon procese të rëndësishme reformuese duke pasur si objektiv krijimin e një “shoqërie shumetnike për të gjithë” me të drejta dhe trajtim të barabartë për të tërë qytetarët e saj.
“Pas zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe hyrjes në fuqi të ligjit për gjuhën shqipe, përfundimit me sukses të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, kryerjes së reformës në drejtësi, në administratën publike, etj, Maqedonia shpreson të realizojë ëndrrën e saj për anëtarësim në NATO dhe përparimin në procesin integrues evropian”, ka thënë ai.
Meta dhe Zaev kanë ndarë mendime të njëjta sa i përket nevojës dhe rëndësisë së shtimit të bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturor me projekte konkrete si ai i “Korridorit 8” dhe investimeve të ndërsjella, me qëllim zhvillimin ekonomik të dy vendeve e të rajonit tonë dhe rritjen e shpresës për brezat e rinj, që të ardhmen e tyre ta shikojnë e ta ndërtojnë në rajonin e Ballkanit.
Meta ka vlerësuar angazhimin e kryeministrit Zaev për lidhjen hekurudhore midis dy vendeve tona si investim strategjik për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike e tregtare, jo vetëm për Shqipërinë e Maqedoninë, por me një impakt rajonal.