Meta pas takimit me Mustafën: Shpresoj më të mirën për krijimin e institucioneve
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë është takuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa në zyrat e partisë së këtij të fundit.
Pas këtij takimi, Meta ka thënë se është shumë i kënaqur që shëndeti i Mustafës po përmirësohet.
“Ishte kënaqësi që të takoja kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për shëndetin e të cilit kam qenë i preokupuar prej kohësh dhe jam shumë i kënaqur që e shoh shumë më mirë se herën e fundit. Shpresoj që atë shkopin ta flakë njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Meta.
Meta ka folur fjalë të mira edhe për nënkryetaren e kësaj partie, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidate për kryeministre
“Është kënaqësi që jam me Vjosa Osmanin e cila nuk ka qenë vetëm përfaqësuese e LDK-së, por ka qenë vërtetë protagoniste e shkëlqyer për të gjitha gratë dhe vajzat të cilat besojnë te demokracia, si dhe te roli dhe kontributi i tyre në jetën e vendit dhe në modernizimin e institucioneve. Kosova ka shkëlqyer edhe në këtë drejtim, të rolit thelbësor të grave dhe vajzave në të gjitha forcat politike dhe gjithë shoqërinë e saj”, ka thënë Meta.
Më tutje, Meta ka shpreson në krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
“Shpresoj më të mirën për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës”, është shprehur Meta.