Meta për ngërçin në Kushtetuese: Rama ka vetëm një zgjidhje, referendumin
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se zgjidhja e vetme për zhbllokimin e ngërçit të krijuar me reformën në drejtësi, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, është referendumi.
“Ka vetëm një zgjidhje për Ramën dhe disa palaço ndërkombëtarë, referendumi. Shqiptarët duhet të marrin në dorë sovranitetin e vendit. Këtë punë e vendosin shqiptarët”, ka thënë a Meta.
Sa i përket vendimit të marrë sot nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për shkarkimin e Besnik Muçit nga detyra, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Meta ka thënë se nuk ishte i surprizuar, duke akuzuar zyrtarët e qeverisë.
“Ju e dini që vettingu i partisë u shpall para pak ditësh nga zëvendëskryeministri (Erjon Braçe) për zotin Muçi. Nuk jam i habitur sepse që kur ka hyrë në zyrë (Muçi) ka pasur presione të drejtpërdrejta për t’u bërë pjesë e puçit për të bllokuar Xhaferllarin”, është shprehur Meta.
Insistimit të gazetarëve për të thënë emrat e atyre që janë pjesë e këtij puçi të pretenduar, Meta iu përgjigj duke cituar deklaratën e Fatmir Xhafajt, deputet i Partisë Socialiste, mbi Vitore Tushen, e cila është kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese.
Sa i përket kritikave ndaj ambasadorëve, Meta ka thënë se disa prej tyre turpërojnë shtetet nga vijnë, ndërsa për ShBA-të është shprehur: “ShBA-të janë si yll, janë si shpirt sepse me ata e kemi bërë reformën”.