Meta përshëndet qëndrimin e opozitës për zgjedhje të parakohshme
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me liderin e opozitës, Lulzim Basha, dhe aleatët e tij.
Gjatë takimit, Meta ka përshëndetur “qëndrimin publik të opozitës së bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione”.
Në deklaratën e Presidencës është thënë se “Meta i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situatën dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të reformës në drejtësi”.
Reagimi i plotë i Metës:
Presidenti Meta pret në takim kryetarët e partive të opozitës së bashkuar
Presidenti i Republikës Sh.T.Z., Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar, drejtuar nga kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.
Presidenti Meta i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situatën dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të reformës në drejtësi.
Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i reformës në drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës.
Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.
Kreu i shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të opozitës së bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.
Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurt për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit.