Meta pret në takim ambasadoren e Australisë: Të forcojmë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur sot ambasadoren e re të Australisë në Shqipëri, rezidente në Romë, Margaret Eileen Twomey AM, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Presidenti Meta i ka uruar ambasadores Twomey suksese në misionin e saj diplomatik në Shqipëri dhe i ka shprehur vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve në fushat me interes reciprok në planin dypalësh, si dhe forcimin e bashkëpunimit në planin shumëpalësh, veçanërisht në kuadër të OKB-së, gjatë mandatit dyvjeçar të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.
Presidenti Meta dhe ambasadorja Twomey vlerësuan rolin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Australi në vendosjen e urave të bashkëpunimit mes vendeve, si dhe forcimin dhe intensifikimit më tej të marrëdhënieve, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.