Meta reagon për mbylljen e RTV Ora: E papranueshme censura paraprake mbi mjetet e informimit publik

15 maj 2020 | 20:48

Presidenti iShqipërisë  Ilir Meta,  ka reaguar thellësisht i shqetësuar për urdhërimin e mbylljes së sinjalit të RTV ORA, duke i konsideruar disproporcionale masat e marra ndaj këtij televizioni.

Meta paralajmëron kundër çdo censure paraprake dhe thekson se “gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut siç është edhe drejta e lirisë së informimit”.
“Çdo mënyrë e drejtpërdrejt apo indirekte për të vendosur censurë paraprake mbi mjetet e informimit publik apo kufizuar lirinë e shprehjes është e ndaluar, e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka deklaruar Meta.

Reagimi i plotë i Metës:

Thellësisht i shqetësuar nga vendimmarrja e autoriteteve publike për urdhërimin e mbylljes të RTV ORA, veçanërisht kur raportet e organizatave botërore dhe europiane të gazetarëve japin alarmin për regresin vit pas viti në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias në Shqipëri.

Në respekt të parimeve kushtetuese, në mbrojtje të të drejtave e lirive themelore të lirisë së shprehjes dhe për informim, si dhe nisur nga natyra urgjente e marrjes së vendimeve të njëpasnjëshme nga organet publike përkundrejt RTV ORA, pa shqyrtuar dhe vlerësuar më parë objektivisht këtë çështje, si dhe pretendimet e kësaj media, duket se këto masa administrative janë shproporcionale.

Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Çdo mënyrë e drejtpërdrejt apo indirekte për të vendosur censurë paraprake mbi mjetet e informimit publik apo kufizuar lirinë e shprehjes është e ndaluar, e papranueshme dhe e patolerueshme.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut siç është edhe drejta e lirisë së informimit.

Përdorimi i pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19, siç me të drejtë theksohet edhe në raportin vjetor të “Reporterëve pa Kufij”, nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, por kërkon reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe të menjëhershëm. (A. M / Epoka e re).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Romët në Beograd përmes Shtëpisë së tyre Botuese “Romani Emanicipacia”…