Meta: Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Kjo sipas tij pasi Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë për miratimin e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese! Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!”, ka shkruar Meta në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se po ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.
“Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!”
“Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!! Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!”, ka shkruar Meta.