Meta, Stoltenbergut: Prania e NATO-s në Kosovë, thelbësore për sigurinë dhe paqen në rajon
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin ka biseduar për çështjen e sigurisë në vend dhe rajon, duke përfshirë edhe në Kosovë.
Pas takimit, Meta në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se prania e NATO-s në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e këtij shteti dhe Bashkimin Evropian janë thelbësore për sigurinë dhe paqen në rajon.
“Kënaqësi të takoja sot sekretarin e përgjithshëm të NATO, z. Jens Stoltenberg, vizita e të cilit përkon me 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë?? në NATO, objektivin strategjik të të gjitha qeverive shqiptare të pas ‘90-ës, të grave dhe burrave të Forcave tona të Armatosura dhe mbi të gjitha, të të gjithë shqiptarëve. Do të vazhdoj të inkurajoj rritjen e buxhetit për mbrojtjen në 2% brenda 2024, jo vetëm si detyrim por edhe si përgjegjësi për ndarjen e barrës në shërbim të mbrojtjes kolektive, sepse është detyra dhe përgjegjësia e çdo aleati të forcojmë Aleancën”.
“Prania e NATO-s në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e këtij shteti dhe Bashkimin Evropian, thelbësore për sigurinë dhe paqen në rajon. Me z. Stoltenberg ndava krenarinë për rolin jetik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e fqinjit tonë në NATO”, ka shkruar Meta.
/Epoka e re/