Meta takohet me Bashën, ja për çfarë biseduan
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, të cilin e ka siguruar se do t’i dekretojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Më tutje, Meta ka thënë se e ka inkurajuar Bashën që të bashkëpunojë me të gjithë partnerët për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkim Evropian (BE).
“Sapo përfundova një takim me kërkesën time me Kryetarin e Partisë Demokratike dhe liderin e Opozitës së Bashkuar z. Lulzim Basha. E sigurova se do të dekretoj menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit. E falënderova për kontributin konstruktiv në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit dhe i kërkova të vazhdojnë punën në Këshillin Politik në frymën e konsensusit duke mos rënë pre e asnjë provokimi. Inkurajova vijimin e bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë partnerët e investuar për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe që kanë mbështetur Këshillin Politik në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes”, ka shkruar Meta në llogarinë e vet në “Facebook”.
(F.D / Epoka e re)