Meta takon eurodeputeten Santos: Të liberalizohen sa më parë vizat edhe për Kosovën
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është takuar sot me raportuesen për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.
“Kënaqësi të takohesha me raportuesen për Shqipërinë, eurodeputeten Isabel Santos. Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Evropian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ramë dakord se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi”, ka thënë Meta.
Presidenti Meta ka thënë se dita e sotme shënon 11-vjetorin e vendimit të Këshillit Evropian për liberalizmin e vizave me Shqipërinë.
Ai ka theksuar se është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën. “Të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve. Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u ndalur edhe në situatën shqetësuese të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, së cilës Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë”, ka deklaruar Meta pas takimit.