Meta takon krerët e bashkësive fetare, flasin pas tejkalimin e situatës të pas tërmetit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në takim këshillin Ndërfetar të Shqipërisë me të cilët ka biseduar për tejkalimin e situatës të pas tërmetit të 26 nëntorit.
Meta ka thënë se i ka falënderuar krerët e bashkësive fetare për reagimin e tyre të menjëhershëm, duke u gjendur pranë njerëzve në momentet e vështira të pas tërmetit tragjik në të cilin kanë humbur jetën mbi 50 persona.
“Një takim shumë i frytshëm me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, ku ndamë ide të çmuara mbi tejkalimin e shpejtë të situatës tragjike të pas tërmetit të 26 nëntorit, dhe pasojave jo vetëm materiale, por dhe shpirtërore të qytetarëve në zonat e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.
I falënderova me mirënjohje krerët e bashkësive fetare për reagimin e tyre të menjëhershëm, duke u gjendur pranë njerëzve në këto momente të vështira, si dhe vlerësova mbështetjen materiale, shpirtërore, morale dhe psikologjike që kanë dhënë. Roli i tyre për rimëkëmbjen shpirtërore, rikthimin e shpresës, forcimin e solidaritetit e kurajës në kapërcimin e momenteve më të vështira që ka kaluar dhe kalon populli ynë është i pazëvendësueshëm”, ka shkruar Meta në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/