Meta takon Thaçin, fton shqiptarët në Maqedoni të votojnë pro referendumit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi.
Presidenti Meta ka vlerësuar qasjen pozitive të Qeverisë së Maqedonisë për reformat gjithëpërfshirëse dhe kontributin e rëndësishëm të faktorit politik shqiptar në këto procese jetike.
Presidenti Meta ka nënvizuar se faktori politik shqiptar në Maqedoni ka pasur dhe ka një rol të pazëvendësueshëm në procesin e transformimit të brendshëm social dhe politik, si dhe për integrimet e Maqedonisë në organizatat euroatlantike.
Duke nënvizuar rëndësinë e integrimit të shpejtë evropian të të dy vendeve si dhe të rajonit, presidenti Meta ka theksuar se Maqedonia është në një moment tepër të favorshëm dhe optimist pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë.
Në këtë kontekst, presidenti Meta u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e 30 shtatorit dhe të votojnë pro të ardhmes së sigurt evropiane të shtetit maqedon.
/Epoka e re/