Meta takon zyrtarin e lartë britanik, kërkon marrëdhënie dinamike midis dy vendeve
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur të enjten në takim drejtorin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, ambasadorin Andrew Page.
Presidenti Meta ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me bindjen se ato do të vijojnë të jenë edhe më dinamike në të ardhmen.
As situata politike në Shqipëri nuk ka mbetur jashtë fokusit të diskutimeve në mes të Metës dhe ambasadorit Page.
“Theksova gjithashtu domosdoshmërinë e rikthimit urgjent të vendit në shinat e demokracisë dhe shtetit ligjor, duke i shërbyer njëkohësisht objektivit strategjik të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian gjatë Këshillit të tetorit”.
“Krenar për marrëdhëniet tona të shkëlqyera me Britaninë e Madhe dhe mirënjohje për përkushtimin e saj për stabilitet e siguri në rajonin tone”, ka thënë Meta.