Meta: Të mësojmë nga tifozët e Kosovës
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta do të jetë një prej të pranishmëve në stadiumin “Elbasan Arena”, ku sot në mbrëmje do të luhet ndeshja Shqipëri-Islandë.
“Nuk kisha në plan të shkoja sot në ‘Elbasan Arena’ për shkak të shumë detyrimeve të tjera, por besoj se të gjithë duhet të jemi më pranë se asnjëherë Kombëtares sonë që pas shkëlqimit të jashtëzakonshëm në Evropianin e Francës është në tranzicion drejt rigjetjes së vetvetes”, thotë ai.
Presidenti Meta kërkon që tifozët që do jenë në Elbasan të marrin shembull nga tifozët e Kosovës, të cilët mbështesin ekipin më shumë atëherë kur është në disavantazh.
“Shpesh tifozët kërkojnë vetëm fitore, por topi është i rrumbullakët. E di që shumë tifozë janë mërzitur nga humbja me Francën, kampionen e botës, por mos harroni si humbi Brazili me Gjermaninë 1-7. Le të mësojmë dhe nga tifozët e Kosovës, që pikërisht kur ekipi është në disavantazh, ndizen më shumë në përkrahjen e ekipit. Sot në ‘Elbasan Arena’ me Kuqezinjtë”, ka shkruar Meta.