Meta: Të papranueshme idetë për ndarje apo për shkëmbim territoresh
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur të mërkurën në takim delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, të kryesuar nga Carl Bildt, ish-kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë.
Gjatë këtij takimi Meta ka theksuar rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së edhe me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë kontekst vuri në dukje se shpreson që Shqipëria të hapë sa më parë negociatat e anëtarësimit në BE, dhe që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave, sapo të mbyllet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
Më tej Meta gjithashtu i konsideroi të papranueshme dhe të pamundura idetë destruktive për ndarje apo shkëmbime territoresh, duke i konsideruar ato tentativa të dëshpëruara për mbivendosjen e agjendave populiste mbi agjendat jetike të integrimit dhe stabilitetit.
Për Metën programi i vetëm i punës në tryezat e drejtuesve politikë duhet të jenë zgjidhja e problemeve e shqetësimeve reale të qytetarëve, për të vendosur sundimin e ligjit dhe demokracisë në secilin vend. “Prioritet në secilin vend, sundimin e ligjit dhe demokracisë”, ka thënë Meta.