Meta tregon të gjitha arsyet që e çuan drejt divorcit nga Monika
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta njoftoi sonte divorcin e tij me bashkëshorten Monika Kryemadhi pas 25 vitesh martesë.
Divorci Meta-Kryemadhi vjen në një kohë, kur të dy po verifikohen nga ana e SPAK pas dy kallëzimeve të bëra ndaj tyre, për operacionet estetike dhe për atë të pagesave të lobimeve të bëra në SHBA.
“Zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin-tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”, tha Meta në një intervistë në Syri TV.
Ai ka dhënë edhe arsyet që e çuan në një vendim të tillë. Meta thotë se shkak për krisjen u bënë përplasjet politike.
“E para, unë e mendoj se ajo është e pafajshme. E dyta, Batoni (Haxhiu) më ka thënë në një darkë tek Kodra e Diellit se “kam menduar se do ta ndaje që kur lanë mandatet”. E përmenda çështjen e mandateve se ajo ka qenë një krisje shumë e madhe mes nesh. Nuk ka qenë lojë dhe nuk është lojë. Çështja e mandateve është një krim për popullin shqiptar.
Unë kam pritur nga ajo një reflektim nga ajo dhe e deputetëve dhe askush nuk mori në telefon për të pyetur se, nëse ti ke dalë kundër çfarë mendon. Nuk e bëra unë kryetare të partisë, ashtu siç e thatë ju. Ajo ka pasur kontributet e veta shumë të mëdha.
Pas zgjedhjes time të sforcuar si President, kryetar u bë Petrit Vasili, për shkak të përvojës, qartësisë politike dhe ajo u bë nënkryetare si një mbështetëse dhe për të mbajtur linjën. Dhe më pas erdhën zgjedhjet, rezultati i dobët në Fier dhe presionet e Ramës ndaj deputetëve sepse u duk e qartë që po shkonim drejt opozitës.
Më pas u mendua si zgjidhje për të mbajtur më të bashkuar partinë, dhe për shkak energjive që ajo kishte. Ka kontributet e veta që askush nuk ja ka mohuar dhe nuk ja mohon. Por tani kjo është një marrëdhënie e cila është bërë e pamundur dhe kjo është një zgjidhje më e qetë për të gjithë”, tha Ilir Meta.
Drejtimi i partisë nga njëra anë dhe hetimi i nisur nga ana e SPAK kundrejt tyre shërbeu si një shtysë për të rritur tensionet në marrëdhënien bashkëshortore pasi të dy rritën dozën e akuzave mes tyre.
Çifti Meta-Kryemadhi, prindër të tre fëmijëve, e nisën dhe pse jo zyrtarisht “ndarjen e tyre bashkëshortore” gjatë kohës kur Meta u emërua President i Republikës.
Kryemadhi refuzoi të merrte detyrën e Zonjës së Parë. Ajo ia pasoi atë vajzës së saj, Erës, e cila dhe pse e mitur e shoqëronte të atin në ceremoni të ndryshme duke përmbushur boshllëkun e lënë nga Kryemadhi, që mori detyrën e vështirë për të drejtuar partinë në mungesë të Ilir Metës. Kompetenca që nuk i përmbushi siç duhet, sipas Metës, pasi e çoi Partinë e Lirisë drejt shkatërrimit me vendimet e marra.