Meta uron Kosovën për 11-vjetorin e Pavarësisë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar gjithë qytetarët e Kosovës për njëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë.
“Kremtimi i 11-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më jep mundësinë dhe kënaqësinë shumë të veçantë që të shpreh, në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, urimet më të përzemërta e vëllazërore. Ju uroj Juve personalisht, autoriteteve shtetërore si dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Mirënjohje të gjithë vizionarëve dhe heronjve që luftuan, sakrifikuan dhe punuan për Kosovën e pavarur!”, shkruan Meta në urimin e tij, të cilin ia ka dërguar presidentit Hashim Thaçi.
Meta shpreh besimin se kjo ditë e shënuar do të frymëzojë më shumë përpjekje, më shumë unitet dhe më shumë devotshmëri për të konsoliduar institucionet shtetërore, për një Kosovë më të begatë dhe europiane që forcon sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Më tej, vijon duke thënë se përvoja e mirë dhe vullneti i përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane, angazhojnë të punohet më shumë në të gjitha rrafshet.
Për Metën, bashkëpunimi vëllazëror duhet të bëhet shembull që udhëheq modelin e marrëdhënieve në rajon.
“Si President i Republikës së Shqipërisë do të vazhdoj të jem përkrahës i vendosur në këto ndërmarrje që i afrojnë gjithnjë e më shumë dy shtetet tona, dhe që përbashkojnë të gjithë rajonin në familjen europiane dhe euro-atlantike. Duke ju uruar edhe një herë sa më shumë përparim, suksese dhe integrim të plotë europian dhe euro-atlantik, lutem pranoni i nderuar president sigurimet e konsideratës sime të lartë”, thotë në mbyllje të urimit të tij presidenti Meta.