Meta viziton Krujën, sheh nga afër dëmet pas tërmetit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vizituar sot shtëpitë e disa familjeve në qytetin e Krujës dhe fshatin Hasanaj, të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Ndjekja e verifikimeve të para, e domosdoshme për zgjidhje të sigurta”, ka shkruar Meta në llogarinë e vet në “Facebook”.
Po ashtu, Meta ka vizituar sot edhe Kalanë e Krujës, të cilën e ka quajtur “kurorën e krenarisë së trashëgimisë tonë kombëtare, të dëmtuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit”.
“Veçanërisht Kulla e Kambanës dhe Teqeja e Dollmës, dy nga monumentet unike dhe mjaft të rëndësishme të Kalasë, kanë pësuar dëmtime shumë të rënda, për të cilat duhen marrë masa të menjëhershme për t’u riparuar dhe mbrojtur, për vetë simbolikën e fortë kulturore e kombëtare që përfaqësojnë. Puna e nisur duhet të ndiqet me përgjegjësi maksimale deri në fund!”, ka shkruar Meta.
/Epoka e re/