Meta zbulon datën dhe vendin e protestës së parë
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka njoftuar protestën e parë të kësaj force politike, pasi ai ka marrë drejtimin e saj.
Meta ka bërë me dije se protesta e parë do të jetë më 13 shtator në orën 18:00 te inceneratori i Tiranës.
Me këtë rast, Meta e ka quajtur vendin e protestës së thirrur nga Partia e Lirisë si “kryeveprën” e korrupsionit të qeverisë, derisa ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë.
“Të martën që vjen protesta e pare tek inceneratori Tiranës. Protesta e parë e Partisë së Lirisë, në 13 shtator, ora 18:00, në inceneratorin e Tiranës, ‘kryeveprën’ e korrupsionit të qeverisë. Ftojmë të gjithë qytetaret. Ftojmë të gjithë ata që kanë dëshire të protestojnë”, ka thënë Meta të martën në një konferencë për media.
I pyetur nga gazetarët se përse ka zgjedhur inceneratorin e Tiranës për të nisur protestat, Meta ka thënë se në çdo aferë është i përfshirë kryeministri shqiptar, Edi Rama.
“Në çdo aferë është Edi Rama. Ai garanton pandëshkueshmërinë për të gjithë ata rilindasit më të vegjël. Kudo është ai. E ka dorën e gjatë shumë”, është shprehur Meta.